Historianët: Zajazi e shpëtoi Beogradin nga gjykimi ndërkombëtar, duke vonuar zbulimin e eshtrave të viktimave të masakruara

Këshilli Organizativ për zbulimin e krimeve ndaj shqiptarëve dhe varrimin e mbetjeve mortore të viktimave nga masakrat nga viti 1913 e gjer pas luftës së Dytë Botërore që u gjetën në komunën e Kërçovës është takuar në Zajaz. “Ky këshill vendosi që varrimi i mbetjeve mortore të viktimave të gjenocidit ndaj shqiptarëve do të bëhet të shtunën, më 18 nëntor 2017, me fillim në ora 13:00 në Qendrën Përkujtimore “Nëna Shqiptare” në Zajaz të Kërçovës Kohë më parë, në Zajaz dhe në vende tjera në Kërçovë u zbuluan varreza masive të viktimave nga masakrat ndaj shqiptarëve nga viti 1913 e gjer pas luftës së dytë botërore”, thuhet në komunikatë. Ndryshe, në shtator te vitit te kaluar te shpella afër vendit të quajtur “Dardha” në afërsi të fshatit Baçisht të Kërçovës, një ekip speleologësh italianë gjetën mbetje të shumta mortore dhe rreth 100 kafka njerëzish. Ekspertët vendorë si dhe speleologët nga Italia pretendojnë se vjetërsia e kafkave mund të jetë 60-70 vjeçe, pra që mund të lidhen me zhvillimet e Luftës së Dytë Botërore dhe me periudhën deri në fillim të viteve gjashtëdhjetë, që ndër ne njihet si koha e Rankoviqit dhe UDB-së famëkeqe. Sidoqoftë, angazhimi edhe i ekspertëve nga Italia ushqen shpresën se më në fund e vërteta për këtë shpellë dhe krimet që mund të jenë bërë, do të dalë sheshit.

Shumë historianë shqiptarë vlerësojnë se duke vonuar zbulimin e këtyre eshtrave, edhe pse për to është ditur moti kohë, “Zajazi ka shpëtuar Serbinë nga gjykimi për krime para gjykatave ndërkombëtare”.

Ata vlerësojnë se dikush qëllimisht ka vonuar zbulimin e kufomave të viktimave të masakruara, për të mbrojtur interesin e Serbisë. Sipas historianëve, po të ishin zbuluar këto eshtra deri në vitin 2004, atëherë do të kishte bazë që të ngritet padi kundër Serbisë në Gjykatat Ndërkombëtare, si shtet i dyshuar kryesor për këto masakra. “Tani më është vonë. Kufomat zbulohen pasi kanë kaluar afatet që parashihen me Konventat ndërkombëtare deri kur mund të zhvillohen hetime për vrasje dhe masakra. Është e qartë se ata që e kanë mbrojtur Serbinë nga gjykimi para gjykatave ndërkombëtare duke vonuar zbulimin e kufomave, tani po mundohen që eshtrat t’i keqpërdorin për qëllime politike, duke treguar gjoja brengosje për shqiptarët e masakruar”, kanë thënë disa historianë shqiptarë.

Edhe më i ashpër është një kolegë tjetër i tij.

“Ata që fshehën kufomat për të mbrojtur Serbinë, tani po i keqpërdorin eshtrat e viktimave të masakrave serbe, që të vazhdojnë edhe më tutje t’i shërbejnë Serbisë. Kam parë njerëz që i shërbejnë armikut duke manipuluar me njerëzit e gjallë, mirëpo për herë të parë po shoh dikë duke i shërbyer armikut shekullor të popullit të vet edhe duke keqpërdorë eshtrat e viktimave që i ka masakruar ai armik”, thekson historiani në fjalë, duke kërkuar të mbetet anonim.

The post Historianët: Zajazi e shpëtoi Beogradin nga gjykimi ndërkombëtar, duke vonuar zbulimin e eshtrave të viktimave të masakruara appeared first on tetova1.com.

Source: Tetova1

Comments

comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *